Aktualitet Rajoni

Përfundon votimi në Kosovë dhe nis numërimi i votave/ Exit Poll-et e para: 11 komuna pa fitues, do të shkojnë në balotazh.

Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë. Ora 19:00 ka shënuar dhe mbylljen e vendvotimeve.

Qytetarët në këto zgjedhje lokale kanë votuar për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale, për 38 komunat e Kosovës.

Në këto zgjedhje plot 1 mln e 855 mijë e 448 votues kishin të drejtë vote.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka raportuar për mediat, se pritet që rezultatet e para të publikohen brenda ditës së sotme.

Pas mbylljes së votimeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, filloi numërimin e votave, për zgjedhjet komunale që u mbajtën gjatë ditës së sotme në Republikën e Kosovës.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje deri në orën 19:00 është 43% apo 770 mijë e 117 votues.

Dalin exit-pollet e para

11 komuna, nga 25 të analizuara, do të shkojnë në balotazh sipas një sondazhi të EXIT POLL-it i prezantuar në Klan Kosova.

Sipas këtyre statistikave kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, do të shkojë edhe një herë në zgjedhje, ku LDK-ja me Përparim Ramën dhe LVV-ja me Arben Vitinë do të garojnë edhe një herë për të parin e kryeqytetit.

Komunat e tjera që do të shkojnë në balotazh janë: Gjakova, Prizreni, Rahoveci, Gjilani, Klina, Malisheva, Podujeva, Vushtrria, Kaçaniku dhe Vitia.