Rajoni

Periferitë e Athinës në flakë!

Edhe sot, për të dytën ditë radhazi, zjarrfikësit grekë po luftojnë me zjarret pranë dy zonave periferike të Athinës. Në vendin fqinj, mediat raportojnë disa dëme në shtëpi, si dhe automjete, me 65 makina zjarrfikëse e 283 zjarrfikës që ende përpiqen për lokalizimin e shuarjen e flakëve.

Një ditë më parë, autoritetet greke urdhëruan evakuimin e pjesëve të periferive jugore të Athinës: Voula dhe Glyfada, si një masë paraprake pasi erërat e forta ndezën zjarret e kërcënuan zonat e banuara. Tymi i zi, i dendur, shihej deri në Pire, rreth 20 kilometra larg.

Zyrtarët mbrojtën reagimin e shtetit, duke thënë se “zjarret ishin të menjëhershëm”. Ishin tre të tillë që shpërthyen thuajse në të njëjtën kohë dhe u favorizuan nga erërat e forta, ndërsa terreni i thyer malor, vështirëson ndërhyrjen.

Zjarret filluan pasditen e së shtunës. Sipas zëvendësministrit të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Evangelos Tournas, “makinat e para të zjarrfikësve ishin në vendngjarje, 12 minuta pas dhënies së alarmit dhe 8 minuta më vonë, avionët e helikopterët zjarrfikës, gjithsej 17, u ngritën për t’u bashkuar me përpjekjet”.

Megjithë përpjekjet e mëdha kolektive, pati dëme të kufizuara në disa shtëpi, por ne shmangëm lëndimet ose humbjet e jetëve. Në të gjithë Greqinë, dje kishte 61 zjarre.

Moti i nxehtë dhe i thatë, i kombinuar me erërat e forta e të shpeshta, e bëjnë Greqinë veçanërisht të prekshme nga zjarret gjatë verës. Gushtin e kaluar, flakët shkatërruan gjysmën veriore të ishullit Evia, i dyti më i madh në vendin fqinj.

Të enjten, Komisioni Europian njoftoi se më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje teknike të ofruara nga vendet e Bashkimit Europian do të vendosen së shpejti në Greqi, për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj zjarreve të mëdha.

Christos Stylianides, Ministër i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile:

Ne jemi ende në fillim të verës dhe synojmë të zbusim pasojat e rënda të fenomeneve të reja, të shkaktuara nga kriza klimatike.