Bota

Përmbytje në Gjermani, viktima e të zhdukur!

Ndërsa Shqipëria është nën pushtetin e motit të nxehtë me temperatura që sot variojnë nga 18 në 41 gradë celcius, në pjesë të tjera të Europës, tekat e motit po sjellin jo pak probleme.

Në pjesën perëndimore të Gjermanisë, të paktën 30 persona humbën jetën e shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur nga shirat intensivë që kanë shkaktuar përmbytje.

Autoritetet bëjnë të ditur se shumë prej të zhdukurve gjendeshin në çatitë e shtëpive në komunën Schuld ku lumi doli nga shtrati e ujërat vërshuan drejt banesave. Shkollat po qëndrojnë të mbyllura e gjithashtu është goditur lokaliteti Hagen.

E pashmangshme ndërhyrja e zjarrfikësve që shpëtuan disa drejtues makinash të bllokuar në nënkalime të përmbytura. Uji arrin lartësinë e gjurit e rrugë të tjera janë mbuluar nga balta. Përmbytjet nuk kursyen as Europën Perëndimore e Qendrore me vende si Holanda, Belgjika e Zvicra. Në shtetin belg raportohen dy viktima.