Aktualitet Politikë

Plas “lufta” brenda PD, Berisha: Basha të jepte dorëheqjen para se të më përjashtonte!

Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të PD për ta përjashtuar nga grupi Parlamentar. Berisha thotë se nesër do të shkojë me patjetër në Kuvend!

“Vendimi është jashtë çdo lloj norme statutore dhe ligji. Një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare nuk mund ta marrë. E kuptoj presionin, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa sovranitetin e PD.

Bëri atë që nuk bëri Celibashi, asgjësoi PD si parti sovrane. Jam i sigurt se e kanë kërcënuar me sanksione, por nuk më intereson fare. Nuk i është bërë goditje Sali Berishës, por partisë politike. Unë kuptoj presionin e madh që Rama ka bërë ndaj zotit Basha.

Por njeriu ndodhet para rrethanave që nuk pranon kurrë që të asgjësojë forcën politike. Përpara një vendimi të tillë Basha duhet të mblidhte Kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin dhe të vendoste një nen në të cilin të sanksionohej përjashtimi i personave që shpallen non-grata nga SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ky nen nuk ekziston. Ai shpalli një vendim që është nul. Sepse është i tiji dhe asnjë forumi të PD”, tha Berisha.

Kam komunikuar sot me Bashën dhe i kam thënë këto që po ju them ju. E dija që ai ishte në presion, por nuk mendoja se ai duke mos respektuar asnjë lloj rregulli do shpallte një vendim të tillë personal.

Do bëj gjithçka për rikthimin e sovranitetit të PD, për të kthyer ato parime që i shkelmoi sot në mënyrë të paimagjinueshme Basha, dhe pa të cilat forca politike është një fasadë -opozitë.