Aktualitet

Pranga volejbollistit Eraldo Vora, u kap me kokainë e armë!

Kapet me kokainë dhe armë zjarri, pranga volejbollistit Eraldo Vora në Shijak. 26-vjeçari me banim në Sallmone, u arrestua në kuadër të operacionit të koduar me të njëjtin emër, pra “Sallmone”, të Forcave Operacionale dhe strukturave të Narkotikëve në Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës e Shijak.

Si volejbollist, sezonin e kaluar, Vora luajti me Partizanin, ndërsa për këtë vit sportiv nuk janë bërë ende federimet dhe nuk dihet se me cilin ekip do të aktivizohet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi”, me të cilën po qarkullonte, policia gjeti një armë zjarri pistoletë, 1 krehër dhe 10 fishekë.

Pas kontrolleve në banesë, iu kapën e sekuestruan rreth 14 gramë kokainë, një peshore elektronike, një shkop metalik dhe të tjera sende të paligjshme. Ndër të tjera, në banesë iu konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e “Vjedhja e energjisë elektrike”.