Bota

Presidencialet Amerikane/ Fushata përqëndrohet në Florida

Donald Trump e Joe Biden përqëndrojnë sot fushatën në Florida, shtet kyç në Presidencialet amerikane të 3 Nëntorit. Presidenti republikan, i cili synon mandatin e dytë dhe rivali demokrat synojnë mbështetje në Florida për rezultatin përfundimtar. Ky shtet i dhuron fituesit 29 vota elektorale. Si Trump ashtu dhe Biden do të jenë sot në qytetin Tampa.

Mes dy kandidatëve bie në sy stili i ndryshëm i zhvillimit të fushatës. Trump flet para turmave të mëdha e rrallë herë vendos maskën, siç rekomandojnë ekspertë shëndetësorë për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Shumë më i kujdesshëm kundërshtari. Biden zgjedh t’iu drejtohet grupeve që mbajnë distancë dhe shpesh mban maskë.

Para Floridës, Donald Trump e vijoi fushatën në Arizona ku shprehu bindjen për një fitore të thellë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Joe Biden e bashkëshortja Jill u ndalën në Delauer, ku do të votojnë pas 5 ditësh. Deri tani, 85 milionë amerikanë shfrytëzuan të drejtën e votimit të parakohshëm, kryesisht për t’iu shmangur rradhëve në qendra votimi çka do t’i ekspozonte ndaj rrezikut të koronavirusit. Një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Numrin e tyre e përcakton ai i popullsisë së një shteti.