Rajoni

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut: KSHZ: Nuk ka bojkot!

Zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, burime zyrtare bëjnë të ditur se votimi filloi në orën 07:00 të mëngjesit.

Në dy orët e para, pjesëmarrja ishte 4.17% për presidencialet dhe 4.45% për zgjedhjet parlamentare.

Shifrat i dha kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, KSHZ, Aleksander Novakovski, i cili hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale. Sipas tij, “dalja e hershme në zgjedhjet e sotme është e ngjashme me të zgjedhjeve të kaluara presidenciale në vitin 2019”.

Nga ajo që unë shoh këtu, nga të dhënat e besueshme që na kanë arritur, si edhe nga ajo që ju dëgjuat, absolutisht se nuk ka bojkot.

Janë rreth 1.8 milion shtetas me të drejtë vote ndërsa këto janë të parat zgjedhje të dyfishta që mbahen në vendin fqinj që prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti e po ashtu koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO-DPMNE/së në opozitë e LSDM-së në pushtet sa i përket kampit maqedonas. Në atë shqiptar, ndërmjet Frontit Europian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, si dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Europian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome e boshnjake. Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore e në secilën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 120 vende.

Partitë shqiptare duket se betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy e gjashtë, pikërisht aty ku dhe jeton popullata shqiptare. Bazuar në sondazhet e në veçanti në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën më 24 prill, pra muajin e kaluar, VMRO-DPMNE/ja rezulton favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

garën për president, sot janë dy kandidatë, fituesja e raundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE/së në opozitë, si dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga Lidhja Social-Demokrate në pushtet.

Në raundin e parë, Davkova fitoi 363 mijë vota apo 40%  ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski, rreth 180 mijë të tilla ose 19%. Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, njëri nga dy kandidatët duhet të fitojë shumicën e votave të qytetarëve, por po ashtu kërkohet që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40% e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore ose rreth 725 mijë votues.

Nëse plotësohet pragu prej 40% për zgjedhjen e kreut të shtetit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën e 12 majit.