Bota

Presidenti Biden amerikanëve: “Ikni menjëherë nga Ukraina!”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po iu bëjnë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi për shkak të “shtimit të rrezikut për veprime ushtarake ruse” kundër Ukrainës. Në udhëzimin për udhëtimet në Ukrainë të Departamentit Amerikan të Shtetit paralajmërohet:

Mos shkoni në Ukrainë për shkak të rritjes të rrezikut për veprime ushtarake ruse dhe COVID-19; ata që ndodhen në Ukrainë duhet të largohen menjëherë!

Edhe presidenti Joe Biden përcolli të njëjtin mesazh në një intervistë për televizionin NBC.

Qytetarët amerikanë duhet të largohen, tani! Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Situata ka ndryshuar dhe ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi.

I pyetur nëse kishte një skenar të mundshëm që mund ta bënte atë të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët që po lënë vendin, shefi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj:

Nuk ka. Do të ishte luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit. Jemi në një botë më të ndryshme nga ç’kemi parë ndonjëherë më parë.

Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Ukrainës, por ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin e saj me vendin fqinj.

Ndërkaq, kryeministri britanik, Boris Johnson u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për krizën mes Ukrainës dhe Rusisë. Johnson e quajti si momentin më të rrezikshëm për sigurinë europiane në dekada. Udhëheqësi i NATO-s e paralajmëroi Rusinë se nëse zgjedh rrugën e forcës, vendi do të ketë kosto të madhe.

Aleanca shprehet e gatshme të bisedojë me Rusinë për gjetjen e zgjidhjes diplomatike, ndërsa tensionet nga frika e pushtimit rus të Ukrainës po shtohen. Por kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se “parimet bazë të Aleancës Veri-Atlantike nuk janë të negociueshme”. Takimi i tyre vjen ndërsa mijëra trupa ruse po zhvillojnë manovra ushtarake në Bjellorusi, në kuadër të shtimit të pranisë ushtarake ruse pranë kufijve të Ukrainës, që ka ngjallur frikë për një pushtim të mundshëm.