Sport

Presidenti i PE i del në mbrojtje Hysajt, ky i fundit fans i “La Casa de Papel”!

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli ka mbështetur futbollistin shqiptar Elseid Hysajn i cili u sulmua nga ultrasit fashistë të Lazios pasi këndoi këngën ‘’Bella Ciao’’.

“Solidarizimi im me futbollistin shqiptar të Lazio, Elseid Hysaj, i cili është sulmuar nga ultrasit, të cilët me një banderolë e kanë quajtur ‘krimb’, për shkak të këngës së tij “Bella Ciao” gjatë prezantimit para ekipit.

Së fundmi kemi përjetuar gëzimin e madh nga Italia me fitimin e Europianit dhe është turp që kjo të thyhet nga diçka partiake me demonstrata intolerance që nuk do të kenë kurrë vend në botën e sportit apo kudo tjetër”, ka deklaruar David Sassoli.

Kujtojmë se Ultrasit e Lazios janë pro fashizmit dhe nuk e kanë përtypur dot faktin që këndoi këngën “Bella Ciao” pak ditë më parë në grumbullimin me skuadrën.

Fashistët e Lazios e sulmojnë kot futbollistin shqiptar, pasi prej vitesh Hysaj është fans i serialit të famshëm “Casa del Papel”.

Mjafton një hulumtim i shkurtër për të parë se në vitin 2018, kur mbrojtësi shkodran ishte pjesë e Napolit, publikoi një video së bashku me bashkëshorten Fiorenca, teksa ishin veshur si personazhet e serialit “Casa del Papel”, duke imituar këta të fundit.

Ky fakt mjafton për të kuptuar, se gjesti i Hysajt, nuk ishte me qëllime dashakeqëse, siç pretendojnë ata pak tifozë ekstremë të një klubi të madh si Lazio.