Politikë

Presidenti Meta pranon dorëheqjen e Begajt, firmos nga Stambolli dekretin e lirimit

Presidenti Meta ka firmosur nga Stambolli dekretin e lirimit nga detyra të shefit të shtabit të Forcave të Armatosura. Gjeneral Major Bajram Begaj kishte dhënë dorëheqjen pas kandidimit për postin e kreut të shtetit. Emri i tij do të votohet sot në orën 18:00 në Kuvend.

Opozita ka paralajmëruar votën kundër, por maxhorancës i mjafton një shumicë e thjeshtë prej 71 deputetësh pro, për kalimin e kandidaturës së Begajt, vota që shumica socialiste i ka.

Gjeneral Bajram Begaj tashmë është kandidat zyrtar për President Republike, pasi ka marrë 37 firma deputetës socialistë që janë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ai depozitoi te ministri i Mbrojtjes dhe te Kryeministri kërkesën për dorëheqjen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për shkak se ligji e kërkon dhe detyron që ushtarakët s’mund të zgjidhen në pozicione të rëndësishme politike.

Dekretimi i lirimit nga detyra u firmos nga Presidenti Meta në Stamboll, pasi presidenti ndodhet atje për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar. Kjo zhbëri një ngërç që mund të ishte krijuar por u zgjidh me bashkëpunim mes institucioneve.

Më herët Meta kishte paralajmëruar se do të respektonje çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

‘Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.’- njoftoi presidenca, duke ju referuar dekretimit të dorëheqjes së Begajt, nga posti i Kreut të Shtabit të Përgjithshëm.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla më herët kishte thënë se shpreson që Meta të mos i krijojë probleme me dekretimin por gjithsesi së bashku me Komisionin e Ligjeve i kanë marrë masat.

“Besoj se kjo procedurë do të përfshijë brenda orëve në vijim edhe Presidentin aktual që do të bëjë lirimin dhe kjo nuk do të jetë mendoj beteja e radhës. Por kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin”, tha Balla.

Në Kushtetutën e Republikës thuhet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike.

“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës. Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.