Aktualitet

Presidenti turk Erdoğan në Tiranë, pritet në aeroport nga kryeministri Rama!

Rreth orës 10:30 minuta, kryeministri Edi Rama i uroi mirëseardhjen Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, i cili po zhvillon vizitë njëditore në vendin tonë. Ceremonia e mikpritjes u zhvillua në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Vizita nis nga qyteti i Laçit, ku dhe është finalizuar projekti madhor i rindërtimit të lagjes së re me 524 apartamente, financim i qeverisë turke. Aty do të vendosen familje të mbetura të pastreha nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

Gjithashtu, Rama-Erdogan do të zhvillojnë një takim në Kryeministri, para se të japin një konferencë shtypi. Në vijim do të marrin pjesë në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut, objekt i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore. Në përfundim të vizitës, Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë me një fjalë, në një seancë të posaçme parlamentare.