Rajoni

Presidentja Osmani: 25 vjet më parë, për Kosovën filloi shpresa e madhe!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani rikujton 25-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi objektivat policore e ushtarake në Jugosllavi. 24 marsit të vitit 1999 i referohet si ditë e shpresës së madhe për Kosovën.

Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i [ish-liderit, Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë.

Osmani zhvilloi homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, te Sheshi “Nëna Terezë” në Prishtinë. Të pranishëm ishin edhe ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.

Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë.

Osmani falënderoi çdo ushtar të NATO-s që siç u shpreh ka rrezikuar jetën, “në mënyrë që të shpëtojë tonën”.

Dua t’i falënderoj të gjithë liderët e botës demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që do t’i bëjë, jo vetëm qytetarët, por edhe miqtë e saj, që të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë.

Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO nisi sulmet në objektivat ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Pas 78-ditësh sulmesh, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, që përfshiu tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshja u pasua nga miratimi i Rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dokumenti, kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit përcaktonte që në  Kosovë të vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, për të administruar fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999, nisi vendosja e rreth 50 mijë ushtarëve nga 36 vende të botës. 30 mijë prej tyre ishin nga vendet e NATO-s. KFOR-i është ende i pranishëm dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës. Në luftën e zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Më tepër se 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, pjesa më e madhe shqiptarë.