Auto & Moto

Prezantohet Audi i ri Q6 e-tron, ja se kur do të dalë në treg!

Kompania gjermane Audi ka prezantuar më në fund modelin Q6 e-tron i cili do jetë nëpër auto-sallone në Britani të Madhe duke filluar nga 30 prilli. Kjo Quatrro do të shitet me një çmim fillestar prej 87 mijë euro, kurse për SQ6 do të duhen 116 mijë dollarë. Ky është modeli i parë i Audi që përdor teknologjinë e re Premium Platforme Electric (PPE), që është zhvilluar bashkërisht me Porsche dhe që ka për synim makinat e mesme elektrike të segmentit SUV.

Fuqia sigurohet përmes motorëve elektrikë që prodhojnë 382 kuaj-fuqi, të mjaftueshme që makina të përshpejtojë nga 0-100 kilometra në orë për 5.9 sekonda. Fjala është për versionin Q6. SQ6 është një makinë më e fuqishme me 509 kuaj-fuqi, që arrin të kap shpejtësinë prej 0-100 kilometra në orë për 4.3 sekonda. Ka një bateri 100 kWh që siguron një rreze prej 613 kilometra që i bie rreth 70 kilometra më shumë sesa Tesla Model Y.

Elektrifikimi në tregun evropian nuk është duke shkuar sipas pritjeve dhe këtë më së miri e dëshmon rasti më i fundit që vjen nga Audi. Kompania gjermane ka vendosur të shtyjë nxjerrjen në treg të modelit të ri të paralajmëruar në vitin 2021 me konceptin Grandshpere.

Kështu A8 do të vazhdojë të jetë në ofertë. Ndërkaq, pasuesi elektrik i A8 ishte paralajmëruar për vitin 2024, por lançimi i tij do të shtyhet për vitin 2027. Gjenerata e katërt e Audi A8 u prezantua në vitin 2017, kështu që me gjasë do të prezantohet edhe një model i rifreskuar.

Zëdhënësi i Audi tha për Auto Motor und Sport se nuk planifikojnë të ndalin prodhimin e A8 duke theksuar kështu shitjen rekord në Kinë. Me këtë veprim, BMW dhe Mercedes, do të mbesin përfaqësuesit e vetëm gjermanë në fushën e makinave luksoze elektrike siç janë modelet i7 dhe EQS. Në Audi aktualisht operojnë makinat elektrike E-Tron GT dhe A6 E-Tron.