Aktualitet

Privatizimi i “Partizanit”, Malltezi dhe Bektashi sot para GJKKO-së!

Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, sot dalin para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u njohur me masën e sigurisë lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet. Seanca është parashikuar të nisë në orën 13:30.

Ndërkaq, ende nuk është caktuar seanca për ish-kryeministrin Berisha. Nga oficerët e Policisë Gjyqësore nuk ka mbërritur njoftimi se Berisha mori dijeni për masën e sigurisë ndaj tij “Detyrim paraqitjeje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”. Mbrëmjen e së shtunës, ai refuzoi t’i takonte duke mos pranuar të firmoste.

Sipas SPAK-ut, në cilësinë e kryeministrit, Sali Berisha konsumoi veprën e korrupsionit pasiv duke miratuar ligje, me përfitim për dhëndrin. Po ashtu ushtroi presion e dha urdhëra që procedurat e privatizimit të kryheshin në kohë rekord, në 6 muaj. Dyshohet edhe se në dispozicion të Malltezit vuri struktura të administratës shtetërore për realizimin e privatizimit të pronës shtetërore. Më pas ndryshuan destinacionet e zonave sportive, duke çuar në ndërtime, nga të cilat përfitoi direkt Jamarbër Malltezi.

Nga hetimi rezulton se Jamarbër Malltezi përfitoi 5.4 milion euro. Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha pretendon se kjo ndodhi përmes investimit te “Homeplan shpk”, kompania që bëri ndërtimet te ish-kompleksi “Partizani”. Sipas SPAK-ut, 5.4 milion euro nuk janë para’ të ligjshme, pasi Malltezi nuk ishte investitor, duke fshehur origjinën e parave e shfrytëzoi ndërtuesin Fatmir Bektashi për t’i pastruar këto para’.

Telashe me drejtësinë ka edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili shfrytëzoi  terrenet sportive për kryerje ndërtimesh e nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i siguroi Jamarbër Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 milion euro. Paratë i paraqiti si të ardhura të ligjshme nga biznesi.

Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, për pasuritë e Jamarbër Malltezit, i arrestuar mbrëmjen e së shtunës për korrupsion e pastrim parash. Konkretisht janë 16 pasuri të paluajtshme, 6 llogari bankare në euro, dollarë e lekë, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në tre kompani.