Sport

Probleme me shëndetin, Sergio Aguero i përlotur njofton tërheqjen nga futbolli!

Sulmuesi i Barcelonës dhe Argjentinës Sergio Aguero ka njoftuar sot tërheqjen e tij nga futbolli në një konferencë të përlotur shtypi, një muaj pasi u diagnostikua me një problem të pashpjeguar të zemrës dhe pas një karriere më shumë se 15 vjeçare në futbollin profesionist.

Kam vendosur të ndaloj të luaj në futbollin profesionist. Është një moment i vështirë por jam i lumtur me vendimin, shendeti im vjen i pari”, tha 33 vjeçari i cili kishte shkëlqyer për 10 vjet te skuadra angleze e Manchester City para se të largohej sezonin e shkuar.

Ai nënshkroi një marrëveshje dy-vjeçare me Barcelonën por bëri vetëm pesë paraqitje, shënoi një gol kundër Real Madrid, por u dërgua me urgjencë në spital me “dhimbje gjoksi” e mungesë frymëmarrjeje gjatë një ndeshjeje në Barcelonë kundër skuadrës së Alaves ne tetor.

Aguero me pas u diagnostikua me një gjendje problematike në zemër dhe u detyrua të pranojë se nuk do të luajë më kurrë futboll.

“Mora këtë vendim prej problemeve që pata rreth një muaj më parë. Doktorët më kuruan dhe më këshilluan që gjëja më e mirë që mund të bëj është të mos luajë më”.

Në konferencën e stadiumit Camp Nou, merrnin pjesë shokët e skuadrës te Barcelona, ish-trajneri i tij te Manchester City, Pep Guardiola dhe drejtori sportiv Txiki Begiristain.

“Bëra gjithçka që munda të mbaja shpresat gjallë por nuk kishte shpresë.”

Aguero, i njohur më shumë me pseudonimin e tij ‘Kun’, nisi karrierën me skuadrën e Independiente në vendin e tij Argjentinë para se të vinte në Evropë në 2006 me Atletico Madrid në Spanjë.

Tërheqja e Aguero vjen disa muaj pasi sulmuesi i Danimarkës Christian Eriksen pësoi një atak kardiak në fushë teksa luante për kombëtaren e tij kundër Finlandës në qershor.

Të tjerë sportistë i kanë dhënë fund herët karrierës së tyre ose kanë humbur jetën prej problemeve të ngjashme, një fenomen që është rritur ndjeshëm vitin e fundit.