Bota

Problemi me bishtat e cigareve në rrugë, Franca detyron prodhuesit të paguajnë!

Franca i shpall luftë bishtave të cigareve. Tashmë, prodhuesit e tyre duhet të kontribuojnë e të financojnë për mbledhjen e tyre nga rrugët apo hapësirat publike ku hidhen.

Zyrtarisht, administrata Macron ia besoi detyrën organizmit Alcome, që brenda 6 viteve, të reduktohen me 40% bishtat e cigareve të hedhura ndërsa kompanitë prodhuese të paguajnë financiarisht.

Mjafton të mendosh që çdo vit, në tokë hidhen mbi 23 miliard cigare të konsumuara e vetëm në Paris mblidhet një sasi prej 350 tonësh në vit. Filtrat përmbajnë shumë elementë toksikë si nikotina, amoniaku, mërkuri e plumbi që për t’u zhbërë vetë iu duhen të paktën 10 vjet.

Gjithashtu, paratë e derdhura nga prodhuesit e cigarave do të shkojnë për fushata ndërgjegjësimi anti-duhan, përveçse për operacione pastrimi në plazhe e rrugë. Nuk do të neglizhohet as mbledhja e parave për riciklimin.

Për këtë vit, kompanitë duhet të derdhin 10 milion euro ndërsa vitin e ardhshëm, 20 milion. Ministria e Tranzicionit Ekologjik që ka promovuar nismën, mendon se duhen 80 milion euro në vit për të mbledhur bishat e cigareve në Francë.