Rajoni

Prokuroria i vështirëson hetimet, ankohet mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së!

Avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën sot ankesë ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë me pretendimin se po vështirëson hetimet. Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin të cilët akuzohen për krime lufte e kundër njerëzimit, sot u zhvillua seanca e tretë.

Mbrojtja e tyre kërkoi që dosja paraprake t’iu dorëzohet pa vonesa dhe t’iu jepet mundësia të përgatiten. Avokati i Veselit përmendi si afat fillimin e muajit prill. Por Akuza tha se “i druhen frikësimit të dëshmitarëve”, çka sipas përfaqësuesve të saj “do të pengonte drejtësinë për viktimat dhe vetë Kosovën”.

Prokuroria e Specializuar deklaroi se është duke vazhduar nxjerrjen e materialeve, përfshirë atyre shfajësuese. Sa i përket dëshmitarëve u theksua se për palët mbrojtëse, lista do të bëhet publike në momentin e duhur.