Bota

Protesta me djegie të Kuranit në Suedi, Turqia reagon ashpër!

Rrisin ndjeshëm tensionet me Turqinë, protestat në Stokholm kundër kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO e që përfshinë dhe djegien e një kopje të Kuranit. Kjo në kohën kur vendi nordik, ka nevojë për mbështetjen e Ankarasë për të siguruar anëtarësimin në aleancën ushtarake. Në një deklaratë të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme thuhet:

Ne dënojmë tejet ashpër sulmin e ndyrë ndaj librit tonë të shenjtë. Lejimi i këtij akti anti-islam, i cili vë në qendër muslimanët dhe fyen vlerat tona të shenjta, nën maskën e lirisë së shprehjes është krejtësisht i papranueshëm.

Një politikan me qëndrime anti-emigrantëve, i cili i përket krahut të ekstremit të djathtë, dogji një kopje të Kuranit pranë ambasadës turke në Stokholm. Turqia i kërkoi Suedisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme kundër autorëve dhe ftoi të gjitha vendet të veprojnë me hapa konkretë kundër islamofobisë.

Po në Stokholm u mbajt një tjetër protestë, në mbështetje të kurdëve dhe kundër kërkesës së Suedisë për t’u bërë pjesë e NATO-s. Ndërkohë, një grup demonstruesish pro-turq, gjithashtu zhvilloi një tubim para ambasadës. Të tre protestat kishin lejen e autoriteteve policore.

Ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom tha se provokimet islamofobike janë “diçka e tmerrshme”.

Suedia ka një liri të gjerë të shprehjes, por kjo nuk nënkupton që qeveria suedeze apo unë, mbështesim mendimet e shprehura.

Djegia e Kuranit u krye nga Rasmus Paludan, drejtues i partisë politike daneze Linja e Fortë. Paludan, i cili mban edhe nënshtetësi suedeze, ka zhvilluar një sërë manifestimesh në të kaluarën, duke djegur Kuranin. Paludan nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Protesta e tij u mbajt kundër Islamit dhe asaj që e quajti “përpjekje të presidentit turk Erdogan për të ndikuar lirinë e shprehjes në Suedi”.

Disa vende arabe, mes tyre Arabia Saudite, Jordania dhe Kuvajti, denoncuan djegien e Kuranit.

Arabia Saudite bën thirrje për përhapjen e vlerave të dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës e refuzon urrejtjen dhe ekstremizmin.