Rajoni

Protesta “Serbia kundër dhunës”, gjatë natës u bllokua autostrada kryesore e Beogradit!

Disa pjesëmarrës të protestës së tretë “Serbia kundër dhunës” e kaluan natën duke bllokuar një pjesë të autostradës ndërkombëtare në Beograd, në blloqet e pjesës së re të kryeqytetit serb, pranë pikës së karburanteve “NIS”. Ata vunë tenda, thasë për të fjetur, si dhe karrige kopshti. Organizatorët e protestës i thanë agjencisë së lajmeve Beta se aty do të qëndrojnë deri sa të ketë një njoftim tjetër.

Televizioni N1 raportoi se demonstruesit u shpërndanë në mëngjes dhe sot në orën 09:00, aty nuk kishte më njerëz. Mbrëmë, me protestuesit ishin dhe përfaqësues të opozitës. Me ftesë të saj, dje mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit me thirrjen: “Serbia kundër dhunës”.

Shkak i protestës “Serbia kundër dhunës” është pakënaqësia me reagimin e autoriteteve pas dy vrasjeve masive në fillim të muajit maj, ku mbetën të vrarë 18 persona.

Gjatë protestës u bllokuan Gazela, ura më e ngarkuar në autostradë, në Beograd, si dhe Ura e Brankos që lidh Beogradin e Ri me qendrën e qytetit. Një ditë para manifestimit, në Parlamentin e Serbisë filloi diskutimi për situatën e sigurisë në vend dhe rrethanat që çuan në dy krimet.

Ndër të tjera, protestuesit kërkojnë dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiç e të drejtorit të Agjencisë për Sigurinë, Aleksander Vulin. Po ashtu, kërkohet shkarkimi i Entit Rregullator të Mediave Elektronike, mbyllja e portaleve që propagandojnë dhunën e shkelin kodin e etikës, konfiskimi i frekuencave kombëtare nga televizionet Pink e Happy, si dhe anulimi i programeve që promovojnë dhunën.

Në të njëjtën kohë kur filloi protesta “Serbia kundër dhunës”, presidenti serb Aleksander Vuçiç foli në një tubim të Partisë së tij Progresive Serbe në Pançevë, në afërsi të Beogradit. Në këtë tubim, Vuçiç tha se ka marrë informacion nga shërbimet nga Lindja se protestat në Serbi janë përpjekje për revolucione me ngjyra. Por, nuk saktësoi se për cilat shërbime bëhet fjalë.