Aktualitet Politikë

PS sërish thirrje PD-së të sjellë kandidatin për kreun e shtetit!

Ndërsa nesër pasdite, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e presidentit e që do të paraprihet nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave, Taulant Balla foli sot për procesin. Nga Fieri ku si drejtues politik i Partisë Socialiste për këtë qark mori pjesë në një mbledhje për zgjedhjen e drejtuesve të rinj, kreu i grupit socialist, gjithashtu pjesë e grupit negociator të maxhorancës për të zgjedhur kryetarin e shtetit, deklaroi:

Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë, për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD, si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit.  Ne e respektojmë marrëveshjen, për të cilën kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD-së dhe grupet e tjera, që dy raunde të jenë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse edhe në raundin e tretë, opozita nuk vendos të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e katërt do të zgjidhet presidenti apo presidentja e re e Republikës.

Dy ditë më parë, negociatat për të zgjedhur të parin e shtetit u kthyen në pikën zero. Enkelejd Alibeaj njoftoi anulimin e mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ku do të diskutoheshin kandidaturat për President të Republikës, duke akuzuar socialistët për ndryshim të qëndrimit. Alibeaj tha se “Partia Socialiste donte të vidhte procesin e të ushtronte pushtetin edhe në Presidencë”. Sipas tij, “kandidatët e propozuar nga PD, nuk ishin të përfshirë në procese antiligjore, ashtu si të PS-së”.

Pas deklaratës së Alibeajt, Taulant Balla u shpreh se “PS nuk ka prishur asnjë marrëveshje,” duke ftuar opozitën të rikthehet në tryezë, për të diskutuar të gjithë emrat. Ndërsa i kujtoi opozitës se ka kohë deri në raundin e dytë, Balla nënvizoi se “raundi i dytë dhe i tretë i takojnë vetëm opozitës”, si dhe theksoi se “nëse presidenti nuk zgjidhet deri në të tretin, atëherë maxhoranca do të propozojë kandidatin”.