Bota

Putin: Moska nuk ka plane të sulmojë ndonjë shtet të NATO-s!

“Rusia nuk ka plane për asnjë vend të NATO-s dhe nuk do të sulmojë Poloninë, shtetet e Baltikut apo Republikën Çeke, por nëse Perëndimi furnizon me avionë luftarakë F-16 Ukrainën, ato do të rrëzohen nga forcat ruse”. Qëndrimin e shprehu lideri rus, Vladimir Putin.

Pushtimi rus i Ukrainës që nisi në vitin 2022 ka nxitur krizën më të thellë në raportet mes Rusisë dhe Perëndimit, që nga kriza kubaneze e raketave, më 1962-shin. Duke folur me pilotë rusë, Putin tha se aleanca ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është zgjeruar në lindje drejt Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më 1991-shin, por “Moska, nuk ka plane që të sulmojë ndonjë shtet të NATO-s”.

Ne nuk kemi qëllime agresive ndaj këtyre shteteve! Ideja se ne do të sulmojmë një vend si Poloninë apo shtetet e Baltikut dhe çekët, që po ashtu po frikësohen është absurditet i plotë. Këto janë gjepura!

Kremlini që i akuzon SHBA-të se po luftojnë kundër Rusisë përmes mbështetjes së Ukrainës me para, armë dhe mbështetje Inteligjene, ka thënë se raportet me Uashingtonin ndoshta kurrë nuk kanë qenë më të këqija.

I pyetur lidhur me avionët luftarakë F-16, që Perëndimi ka premtuar se do t’ia dërgojë Ukrainës, Putin tha se të tilla mjete, nuk do të ndryshojnë situatën në Ukrainë.

Ne do t’i shkatërrojmë, siç po shkatërrojmë çdo ditë tanket, autoblindat dhe pajisjet e tjera, përfshirë raketahedhësit.

Udhëheqësi rus shtoi se avionët F-16, po ashtu mund të mbartin armë bërthamore.

Sigurisht, nëse këta avionë do të përdoren nga bazat ajrore nga një shtet i tretë, për ne do të bëhen objektiva të ligjshme.

Deklaratat e Putinit vijnë pasi një ditë më parë, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se “avionët F-16 duhet të dërgohen në Ukrainë në javët në vijim”. Ukraina, vend që prej dy vitesh po përballet me luftën e nisur nga Rusia, prej muajsh të tërë ka kërkuar nga aleatët e saj që t’i dërgojnë avionë F-16.

Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë në mesin e shteteve që janë zotuar se do t’i japin Kievit  të tilla mjete ajrore. Ndërkaq, një grup shtetesh kanë premtuar se do të ndihmojnë në trajnimin e pilotëve ukrainas.