Rajoni

Qeveria e Kosovës ndan para për fëmijët e pensionistët, ja sa është shuma!

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç në muajin dhjetor. Kryeministri Albin Kurti nuk e fshehu synimin e kabinetit që drejton për të ecur përpara me skemën që nga viti i ardhshëm. Kjo sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për të miturit deri në dy vjeç. Shefi i qeverisë Kurti është zotuar që të në ardhmen, fëmijët të mund të përfitojnë nga shtesat me vlerë nga 50 deri më 150 euro.

Në mbledhjen e parafundit të ekzekutivit, Albin Kurti vuri në dukje se këtë muaj, edhe pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro, përveç pensionit të rregullt.

Pensionet në Kosovë luhaten në vlerat nga 100 deri në 265 euro, në varësi të kontributit. Nga muaji janar e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milion euro për përkrahje financiare të personave në pension, si dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale, duke përfituar prej tyre.

Buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm pritet të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit në Kosovë.