Aktualitet

Qytetarët ndezin qirinj para Kryeministrisë për Mateon 8 vjeçar që u vra nga fqinji i tij/ Mesazhi prekës: Mos më vrit, unë nuk dua të bëhem engjëll.

Qytetarë të Tiranës kanë ndezur mbrëmjen e sotme qirinj para Kryeministrisë për Mateon, të miturin 8-vjeçar që u vra brutalisht nga fqinji i tij.

Në shkallët e Kryeministrisë është vendosur një pankartë ku shkruhet: “Mos më vrit, unë nuk dua të bëhem engjëll”, si dhe lule e qirinj të ndezur.

Vrasja makabre e të miturit nga Klodian Çalamani tronditi mbarë opinionin publik, ku pati solidaritet jo vetëm në rrjetet sociale por edhe në rrugët e Fierit.

Ndërkohë sot, qytetarët e Tiranës zgjodhën këtë mënyrë për tu solidarizuar me familjen dhe për të ndërgjegjësuar që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

Me dhjetra qytetarë u mblodhën sot në mëngjes në një marshim homazh nga sheshi “Nënë Tereza” përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, për vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu.

Marshimi u organizua nga disa aktivistë të shoqërisë civile, shoqatat për të drejtat e fëmijëve që operojnë në vend dhe qytetarë të Tiranës. Mes pjesëmarrësve ishte e pranishme edhe kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla.

Gjatë këtij aktiviteti qytetarët mbanin në duar parulla që shkruanin “Dhuna ndaj fëmijëve është krim” dhe “Stop dhunës”.

Kujtojmë se familjarët e vogëlushit kanë nisur që dje nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.