Aktualitet

Rama: Çdo dëm nga përmbytjet do të kompensohet!

Kryeministri Rama thotë se “me përmbytjet e fundit, situata ishte kritike nga Liqeni i Shkodrës deri në Vjosë” por se “përballimi saj ka qenë vërtet për të marrë frymë të lehtësuar”. Gjithashtu e sheh një mundësi për të parë se “çfarë duhet të bëjnë më mirë në aspektin e ko’ordinimit të të gjitha forcave”.

Rama ka dalë në një konferencë me Ministrat e Mbrojtjes e të Bujqësisë, Peleshi dhe Ikonomi për situatën nga përmbytjet. Sipas tij, “çdo dëm nga përmbytjet do të kompensohet”. Peleshi vuri në dukje se këtë vit pati dyfish më shumë reshje e prurje se në 2010-ën por dëmet llogariten shumë herë më pak. Ndërkaq, Ikonomi informoi se 3 mijë e 340 hektarë ende janë nën ujë. Ministrja theksoi se nuk raportohen argjinatura e kanale të dëmtuara.

Ndërkohë i ftohti polar ka përfshirë territorin shqiptar ndërsa po dominon mot me alternime vranësirash e kthjellimesh. Në mbrëmje, vranësirat bëhen më të dukshme në zonat jugore ku nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të shiut. Temperaturat kanë pësuar ulje dhe luhaten në vlerat ditore nga minus 10 deri në 7 gradë celcius.