Aktualitet Rajoni

Rama: Do korrigjojmë administrimin e fondeve të BE-së për bujqësinë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë të nivelit të lartë në Kroaci. Kreu i qeverisë u prit me ceremoni zyrtare nga homologu i tij, Andrej Plenković. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik, por jo vetëm, mes dy vendeve. Në këtë vizitë numri një i qeverisë shoqërohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale, Albana Koçiu.

Marrëveshja e parë e firmosur është firmosur për njohjen e kontributeve të pensioneve mes shtetasve të dy vendeve. Tashmë qytetarët që punojnë në Kroaci dhe anasjelltas kanë të drejtën për përfitime të plota. Duke mundësuar gjithashtu përfitimet e papunësisë, pagesat e barrëlindjes, përfitime në para në rastin e aksidenteve në punë, etj.

Janë rreth 3 mijë shtetas shqiptarë që punojnë në Kroaci dhe përfitojnë nga kjo marrëveshje. Një ditë më parë, më 1 tetor, hyri në fuqi marrëveshja me Zvicrën, ndërsa janë në proces ratifikimi marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Pas pezullimit të fondeve IPARD nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Edi Rama tha nga Kroacia se do të ketë korrektime në fushën e administrimit të fondeve të bujqësisë.

“Kemi kërkuar mbështetje direkte për procesin e negociatave dhe duam të përfitojmë sa më shumë mbështetje për turizmin, sigurinë kibernetike, ndihmën aktive në funksion të punësimit, si edhe për të trajtuar në mënyrë specifike raste, siç është rasti që ne kemi aktualisht lidhur me disa korrektime që do bëjmë në fushën e administrimit të fondeve të BE për bujqësinë, se një rast të ngjashëm ka pasur edhe Kroacia dhe na intereson të mësojmë për adresimin struktural që ka bërë qeveria e Kroacisë”- tha Rama gjatë konferencës së përbashkët me homologun kroat.