Aktualitet Politikë

Rama i përgjigjet Kurtit: “Me t’u kthyer nga OKB, do vij në Kosovë”

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me anë të një postimi në Twtter homologut të tij kosovar.

“Faleminderit Albin Kurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, shkruan Rama.

Më parë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi kryeministrit shqiptar Edi Rama, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Kurti ka theksuar se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Ai ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.

Kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.