Aktualitet

Rama: Porti i ri Vlorës, integrim në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut!

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga punimet që po kryhen për portin e ri turistik të Vlorës dhe shndërrimin e tij në një port të denjë për pritjen e vizitorëve ndërsa vendi përjeton bum turistik.

Porti i ri turistik do ta pasurojë Vlorën edhe me jahtet e shumëmunguara të vizitorëve, duke e integruar më në fund Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut dhe duke hapur burim të ri domethënës rritjeje të punësimit, shërbimeve, të ardhurave nga ekonomia e detit.

Marina do të përshtatet për akomodimin e varkave dhe jahteve dhe krijimin e një zone me shërbime tregtare e turistike. Porti është pjesë e masterplanit të Lungomares në Vlorë, bashkë me një park publik që do të shtrihet nga Skela e deri në afërsi të tij. Ndërkaq, faza e dytë e rrugës transballkanike do të lidhet drejtpërdrejt me portin.

Vlora bënte pjesë te qytetet bregdetare të rajonit pa infrastrukturën e duhur detare për të pritur turizëm elitar, në një kohë që porti i ri turistik do të ketë kapacitet për rreth 500 mjete lundruese të tipit jahte, megajahte apo anije turistike.

Për më tepër, Marina Vlorë do të ofrojë edhe shërbimet mbështetëse për këtë lloj flote, si furnizimin me karburant, energji dhe ujë.

Projekti ambicioz kurorëzon përpjekjet për ta bërë vendin pjesë të destinacioneve më të famshme turistike dhe misioni nisi me konceptimin nga ana e kompanive të specializuara ndërkombëtare.

Më herët gjatë vitit 2021, qeveria shqiptare pati bërë të ditur planin madhor për modernizimin e bregdetit të Vlorës, duke zhvendosur nga zona e banuar portin industrial dhe zëvendësimin e tij me një port të ri dedikuar turizmit që nga viti në vit po rritet ndjeshëm.

Një numër gjithnjë e më i madh vizitorësh të huaj po rendin që të zgjedhin Shqipërinë, të shtyrë edhe nga rekomandimet nga mediat botërore që vendin tonë po e përfshijnë gjerësisht në listën e destinacioneve turistike që nuk duhen humbur për të kaluar pushimet.

Shqipëria veçohet për bukurinë e natyrës, historinë dhe çmimet konkurruese në krahasim me shumë vende të tjera të njohura për përvojën e tyre të gjatë në ofrimin e shërbimeve turistike.