Aktualitet Politikë

Rama shkarkon Bushatin/ Fiks Fare denoncoi Postën Shqiptare për tenderin me zarfet e Këshillimit Kombëtar

Shkarkohet Ervin Bushati. Ish-deputeti i PS-së, që mbante postin e Drejtorit të Postës Shqiptare është shkarkuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Mësohet se Bushati është zëvendësuar nga Anisa Kaltanji.

Kujtojmë se Fiks Fare denoncoi në fund të muajit Shkurt abuzimet e tenderit për blerjen e zarfeve dhe letrës së pyetjeve për Këshillimin Kombëtar.

Këto zarfe u shpërndanë në muajin janar të qindra mijëra familje në të gjithë Shqipërinë, duke u angazhuar punonjësit e Postës Shqiptare. Sipas dokumenteve që disponon Fiksi, procedurat e tenderit u zhvilluan në fund të muajit janar 2022, ndërkohë që njoftimi i fituesit dhe lidhja e kontratës u firmosën në fillim të muajit shkurt!

Në muajin janar 2022, qeveria shqiptare linçoi projektin e Këshillimit Kombëtar. Në adresë të qytetarëve shkoi një zarf, brenda të cilit kishte me dhjetëra pyetje, të cilat pasi plotësoheshin, dërgoheshin sërish me një zarf tjetër me postë në adresë të Këshillit të Ministrave. “Është një nismë që unë e mbështes, që synon përfshirjen e publikut në vendimmarrje” tha Ervin Bushati, administrator i Postës Shqiptare. Z.Bushati, dikur deputet i PS-së, tha se një nismë e tillë po bëhet edhe në Angli, po “ne jemi para!”.

Sipas një vëzhgimi të Fiks Fare, në profilet në rrjete të Postës Shqiptare dhe të z.Ervin Bushati, rezulton se ky i fundit ka bërë disa statuse në muajin janar se punonjësit e postës kishin shkuar derë më derë për të shpërndarë këto zarfe. Postime të tilla ka deri në fund të janarit. Por, në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërritën disa informacione se, megjithëse zarfet e Postës Shqiptare, u shpërndanë në muajin janar 2022, procedurat e tenderit janë bërë në fund të muajit janar!

Sipas një dokumenti që disponon redaksia e Fiks Fare, procedura konkurruese e tenderit është bërë në datën 27 janar 2022. Tenderi ka pasur një vlerë rreth 24 milionë lekë të rinj, ndërkohë që ka qenë me objekt “blerje zarfe A4, zarfe A5/B5, etiketa adezive dhe printim të pyetësorit dhe letrës shoqëruese”. “Burimi i financimit nga fondi i ardhur nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje për zbatimin e programit të Këshillimit Kombëtarë” thuhet në dokumentet e Postës Shqiptare, ndërkohë që në këtë tender ka marrë pjesë vetëm operatori ekonomik “Albamedia” me një ofertë ekonomike 23.114.000 lekë pa TVSH, ose me TVSH shuma shkon në rreth 27 milionë lekë të rinj.

Pas këtij konstatimi, gazetarët e Fiks Fare shkuan në firmën “Albamedia”, duke e pyetur nëse i bënte apo jo këto letra. Punonjësit thanë se bëjnë letra të tilla dhe se kanë bërë edhe zarfet që ka shpërndarë Posta Shqiptare. Ata thanë se për 5 apo 10 ditë i kanë gati këto zarfe. Pyetjes nëse kanë furnizuar Postën Shqiptare me këto zarfe në muajin janar 2022, punonjësit thanë se “kemi pasur një projekt”. Pra, zarfet dhe letrat i kanë dorëzuar në janar dhe dokumentet e tenderit i kanë bërë në muajin shkurt 2022!

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Postën Shqiptare, duke biseduar me administratorin Ervin Bushati. Ai tha se fondi total për Këshillimin Kombëtar ka qenë rreth 40 milionë lekë. Sipas tij, ka një bashkëpunim mes Bashkëqeverisjes, INSTAT-it dhe Postës Shqiptare. Pyetjes se, përse letrat nga firma i kanë marrë në janar dhe tenderin e kanë bërë në shkurt, Bushati tha fillimisht se nuk i beson. Më pas pohoi se letra është marrë në janar për shkak se në fundvit ka qenë e vështirë të merrej për koston e lartë. Gazetarët i treguan edhe dokumentin e lidhjes së kontratës, të datës 4 shkurt 2022, ndërsa Bushati tha se “tenderi në fjalë mund të mos jetë për Këshillimin Kombëtar”.

Por, në dokumentet e tenderit në fjalë shkruhet se shuma dhe letrat janë “për zbatimin e programit të Këshillimit Kombëtarë”. tch