Aktualitet

Rama, Zaev dhe Vuçiç, takim online për Shengenin Ballkanik!

Kryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan një takim online në kuadër të Shengenit Ballkanik.

Në fokus ishin veprimet e përbashkëta kundër katastrofave natyrore në rajon si dhe garantimi i lehtësirave në qarkullimin e mallrave e njerëzve dhe sistemi i lejeve të punës.

Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin, kanë deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë një video-konferencë ku diskutuan iniciativën e “mini- Shengenit”.

Në një komunikatë të Presidencës së Serbisë, thuhet se të tre vendet “do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian.

Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm duke punuar së bashku dhe duke pranuar bashkëpunimin rajonal brenda iniciativave të ndryshme rajonale si tregu i përbashkët, Mini-Shengeni rajonal, korridoret e gjelbërta ose Procesi i Berlinit, ne mund t’i afrojmë ekonomitë tona, të rrisim mirëqenien e njerëzve tanë dhe të sjellim në investime të mëdha, u tha në konferencë.

Ata kanë theksuar vendosmërinë e tyre për integrim në tregun e përbashkët evropian.

Duke folur për “Agjendën e Gjelbër”, Rama, Vuçiç dhe Zaev iu bën thirrje BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për të “mbështetur zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme.

Tre liderët gjithashtu ranë dakord që më 29 korrik të takohen në Shkup për të shqyrtuar ecurinë e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe për të nënshkruar marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të fatkeqësitë natyrore, lehtësimet për tregtinë, eksportin dhe importin.

Mini-Shengeni është një nismë e përbashkët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.