Aktualitet Politikë

Rijetëzimi i PS-së, Rama mbledh Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalzit!

Në kuadër të procesit të riorganizimit të strukturave, si dhe rijetëzimit të forcës politike në pushtet në vend, sot në Gjirin e Lalzit në Durrës, kryetari Edi Rama mbledh Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ky takim do të mbahet në një resort në zonën bregdetare dhe pritet që të nisë në orën 11:00 me një fjalim të kryesocialistit dhe kryeministrit Rama.

Paraprakisht, mësohet se fokusi do të jetë te zbatimi i detyrave të lëna më herët për strukturat e Partisë Socialiste. Po ashtu, në korrigjimin e problematikave e mangësive të evidentuara në organizatat socialiste. Nuk mbetet jashtë vëmendjes as procesi i anëtarësimeve të reja në PS. Ndërkaq, kjo pjesë e punimeve do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Blendi Klosi, ndërsa më pas do të ketë raportime edhe nga anëtarët e Asamblesë Socialiste në lidhje me punën e kryer.

Në axhendën e punimeve është parashikuar edhe miratimi i dy projekt-udhëzimeve që kanë të bëjnë me “Zgjedhjet e përgjithshme në parti”, si dhe me “Kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të Kongresit të partisë”. Procesi i ri-jetëzimit të Partisë Socialiste bëhet vetëm pak muaj para se të nisë zyrtarisht puna për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm ku partia në pushtet e ka bërë të qartë synimin për mandatin e 4-rt qeverisës.

AXHENDA E PUNIMEVE TE ASAMBLESE KOMBETARE TE PARTISE SOCIALISTE:

1. Fjala e Kryeministrit Edi Rama

2. Blendi Klosi për zbatimin e detyrave të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për rienergjizimin e partisë, korrigjimin e mangësve të evidentuara në organizatat socialiste, si dhe anëtarësimet e reja.

3. Raportime, diskutime nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare lidhur me zbatimin e detyrave të ngarkuara.

4. Miratimi i projekt-udhëzimit “Mbi zgjedhjet e përgjithshme në parti”.

5. Miratimi i projekt-udhëzimit “Kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të Kongresit të Partisë Socialiste, bashkëkryetarët e OS dhe KS të NJA”.