Aktualitet Politikë

Rikthehet normaliteti në Kuvend/Dashnor Sula te Ligjet: Mbledhja në Tiranë, tymi në Sazan!

Në Komisionet Parlamentare, punimet i janë kthyer normalitetit dhe shumë shpejt pritet që pjesë e kalendarit të diskutimeve të jenë dhe nismat e deputetëve. Pas 5 muajsh bllokim nga opozita dhe punimesh online, sot Komisioni i Ligjeve nisi punën fizikisht, ndërsa deputeti demokrat, Dashnor Sula u shpreh i pakënaqur me dakordësinë e arritur mes opozitës dhe maxhorancës për të çelur një dialog te Ligjet, për ato ligje që kërkojnë votim me 3/5-at.

Të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë gjatë këtyre 5-muajve dhe të vijmë këtu në komision e t’i fshijmë këto 5-muaj, ku kanë ndodhur gjëra shumë të rënda në cënimin e demokracisë së vendit, është jo normale.

Kjo marrëveshje është “fake” i pastër. Pse? Ajo çka kërkoi opozita, ngritjen e komisioneve hetimore, e parashikon Kushtetuta. Çfarë bëri maxhoranca? Ndryshoi ligjin për komisionet hetimore, që me ligjin e ri s’ka më asnjë lloj vlere për t’u ngritur komisionet hetimore dhe na thoni hajdeni, merrni komisionet! Ky është normalitet i rremë.

Ndryshuat rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për deputetët dhe është në fuqi rregullorja e re. Nëse nesër do të ketë një protestë civile, ju i ndërprisni mandatin deputetit rreth 60-ditë. E bëni ju me një akt normativ si byro e Kuvendit. Si mund të ndodhë që përgjatë 5-muajve keni kaluar ligje të një rëndësie të jashtëzakonshme për pesë minuta? Ju mund të thoni se ju bllokuat Kuvendin. Çdo fenomen ka një shkak dhe pasojë, shkaku i bllokimit të kuvendit ishit ju, që me forcën e kartonit i bllokuat të gjitha të drejtat opozitës. Unë si deputet, s’do t’ia lejoja vetes. Do të citoja të madhin Ndrek Luca, “kjo ishte loja”, marrëveshja në Tiranë, tymi në Sazan.

Dhurata Çupi, deputete e PD-së, e vlerësoi pozitivisht rinisjen e punës në komisionet kuvendore, teksa kërkoi praninë e ministrave për prezantimin e nismave ligjore.

Opozita e përshëndet kthimin në normalitet të punës në Kuvend. Nuk mund të jetë Kuvendi, vendi ku miratohen ligje klienteliste, në errësirë të plotë e në interes edhe të interesave kriminale. Ne duhet të jemi bashkë për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Mbrojtja e pr/ligjeve të bëhet nga ministrat, niveli më i lartë politik, jo administrata, niveli i ulët politik.

Klotilda Bushka Ferhati, deputete e Partisë Socialiste dhe kryetare e Komisionit të Ligjeve, tha se gjithnjë është kërkuar prani ministrash e zv.ministrash në komisione.

Ne kemi kërkuar gjithnjë prezencë ministrash dhe zv.ministrash. Kur jemi komision përgjegjës kanë ardhur ministrat, kur kemi qenë komision për dhënie mendimi, kanë ardhur në komision zv.ministra. Sa i takon kalendarit të punimeve, ka një shtesë. Do të përpiqemi të caktojmë sa më shpejtë data të sakta për nismat e deputetëve. Duhet të mbarojnë brenda një kalendari sa më të shkurtër. Deputetët nismëtarë do të thirren në komision për të prezantuar nismat e tyre. I kemi kërkuar dhe organeve shtetërore të kthejnë përgjigje mbi qëndrimet e tyre për këto nisma, sipas parashikimeve të Kushtetutës.