Politikë

Rregjistrohet partia e Jozefina Topallit

Në Gjykatën e Tiranës sot u regjistrua partia e Jozefina Topallit, “Lëvizja për Ndryshim”. Kjo gjykatë pranoi kërkesën për forcën politike të drejtuar nga ish-kryetarja e Kuvendit. Me këtë parti, Topalli do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit. Ajo refuzoi ftesën për t’u rikthyer në Selinë Blu dhe për të qenë në listat e kandidatëve për deputetë siç kërkoi anëtarësia në Shkodër.

Ish-kryetarja e Kuvendit ka qenë një nga kritiket më të forta të udhëheqjes së re të PD-së me  kryetarin Lulzim Basha. Ajo është shprehur se nëse opozita e Bashës do të kishte qenë më e fortë “qeveria e Ramës do të ishte rrëzuar me kohë”. “Lëvizja për Ndryshim” vjen sipas Topallit si nevojë për të larguar nga pushteti drejtuesit e partive të mëdha dhe për t’iu dhënë mundësi më shumë të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë për t’u përfshirë në vendimmarrje.

Sikurse e ka cilësuar Topalli, partia e saj “ka kryesisht elektorat nga e djathta” megjithatë ajo nuk ka përjashtuar mundësitë që nisma e saj të fitojë mbështetje edhe nga socialistët, pasi ajo thotë se “edhe ata janë zhgënjyer nga qeverisja e Ramës”.