Aktualitet Sociale

Rriten rastet me osteoartrit, OBSH: 528 milionë të prekur, dëmton artikulacionet

Osteoartriti, sëmundja që prek të gjitha artikulacionet dhe mund të çojë deri në invaliditet, ka prekur 528 milion njerëz në mbarë botën.

Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bën me dije, se në  30 vite kjo sëmundje e nyjeve, është rritur me 113%.

Osteoartriti është një gjendje degjenerative e kyçeve e cila shkakton dhimbje, ënjtje dhe ngurtësi, duke ndikuar në aftësinë e një personi për të lëvizur lirshëm.

Ajo konsiderohet një sëmundje e paevitueshme me rritjen e moshës. Sipas të dhënave globale, rreth 73% e njerëzve që jetojnë me osteoartrit janë mbi 55 vjeç.

Sëmundja është më e shprehur tek femrat të cilat përbëjnë  60% të totalit.

Veç plakjes, ekspertët vlerësojnë se osteoartriti haset dhe tek moshat e reja.

Disa faktorë që rrisin riskun për osteoartritit janë lëndimet, si fraktura, tendosje, stres i përsëritur në sport ose në punë, sëmundjet para-ekzistuese të kyçeve, sëmundje specifike metabolike, si diabeti apo obeziteti.

Parashikimet janë se me plakjen e popullsisë dhe rritjen e shkallës së obezitetit dhe lëndimeve, prevalenca e osteoartritit pritet të vazhdojë të rritet globalisht.