Aktualitet Live From Tirana

Rritja e kriminalitetit në vend parë nga sytë e Anila Hoxhës!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike gazetarja e njohur Anila Hoxha. Sipas statistikave nga INSTAT, krimi në vend është rritur 7.5% më shumë se sa në vitin 2020. Si ka mundësi që ende sot e kësaj dite ka të tilla shifra? Për më shumë Anila na thotë:

Prej organeve kompetente thuhet se janë marrë masa shumë të forta që drejtësia të jetë me “dorë të hekurt” por realisht statistikat janë “kokëforta”. Një shifër alarmante janë krimet kundër personit, por gjithashtu edhe krime të tjera si krimi i rrugës që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe pronën e tij. Gjithashtu janë rritur ndjeshëm krimet e vjedhjes, krimet e pronës, së banesave, automjeteve dhe vjedhjeve në rrugë si rrëmbimë çantash, kuletash, etj. Megjithëse policia ka ndërtuar një plan masash e gjithë kjo lidhet me zhvillimet sociale. Vendi doli nga një situatë e rëndë pandemie ku shumë qytetarë humbën vendin e punës, u taksuan të ardhurat, u rrit niveli i ankthit, depresionit e për pasojë pati ngjarje të tilla si plagosje, sherre për motive të dobëta. Nga ana tjetër sa i takon vrasjeve me dashje, konsiderohet shqetësuese edhe aksidenti automobilistik, shikohet i njëjti shqetësim i aksidenteve që marrin jetën e këmbësorëve apo drejtuesve të automjeteve. Edhe pse policia ka reflektuar me masa konkrete me postoblloqe sërish situata ngelet e pakënaqshme. Pra siç e thashë, e para ishte faktori social që ka ndikuar, pra ai i pandemisë nga ana tjetër pastaj bëhet fjalë edhe për vrasjet me paramendim të përgatitura mes grupeve kriminale. Koefiçenti i krimeve në raport me popullsinë ngelet i lartë. Krimi i vrasjes kundër personit, Në Tiranë është ‘fushëbeteja’ kryesore për të mbyllur hesapet, më pas vijon Elbasani, Vlora dhe Durrësi. Tirana është qyteti ku zhvendosen më shumë personat me precedent kriminal.

Si mund të ndalet rritja e krimeve në vend sipas Anila Hoxhës?

Nëse drejtësia është efektive dhe i dënon kriminelët, padiskutim që kjo do të sjellë një lloj impakti. Pas pandemisë është rritur edhe dhuna në familje, në masën 40%. Jemi përballë një situate ku burra dhe sidomos gra tregojnë se janë dhunuar sepse janë papunë. Duhet parë shumë aspekti ekonomik dhe social. Në kushte varfërie derivon situata aq sa humbet harmonia mes çifteve dhe përfundojnë në pikën që dhunojnë njëri-tjetrin. Më pas lidhet me ndërgjegjësimin, ndalimin, rolin që duhet të ketë policia për të parandaluar, për të parë personat me precedentë kriminal. Duhet të ketë një harmonizim mes të tërëve qe të ketë një ulje domethënëse të krimit në vend.