Celebrities Health & Beauty

“Rrjetet sociale nuk janë reale”, Enxhi Nasufi dhe Jorida Rustemi diskutojnë më shumë mbi këtë fenomen!

Pak ditë më parë këngëtarja Enxhi Nasufi ka postuar në llogarinë e saj në Instagram një foto ku ajo duket duke qarë. Ajo e nisi postimin e saj me fjalët: “Lot, dhimbje, zhgënjim, vuajtje…”

Ditën e sotme, Enxhi ka qenë e ftuar në studion e “Wake Up” për të dikutuar më shumë për këtë foto të sajën dhe arsyen se pse vendosi që ta shpërndante me ndjekësit e saj. Së bashku me të në studio ka qenë dhe Jorida Russtemi, Doktore Shkencash në Psikologji, lektore në Shkencat Sociale, si dhe këshilltare e Avokatit të Popullit.

Si erdhi ky postim i Enxhit?

Ishte një postim që e ndjeja ta bëja. Fakti është sepse jo vetëm njerëz të showbiz-it, por çdo njeri tjetër, kanë uljet dhe ngritjet e tyre. Në ditët e sotme realiteti po e trajton këtë gjë si të guximshme, kur në fakt është totalisht normale. Atë fotografi e kam bërë para pak ditësh por në atë moment e ndjeva që ta postoja. Atë ditë kisha ngarkesë në punë, gjërat mund të mos kishin shkuar siç doja unë dhe thashë do ta bëj dhe do ta hedh në një moment të caktuar.

Psikologia Jorida Rustemi dha mendimin e saj se pse bëhen publike tek të tjerët këto lloj postimesh:

Bëhet për të rritur vëmendjen, për të rritur ndjekësit, ose për të rritur një biznes. Në pjesën më të madhe është si strategji. Njerëzit publikë e përdorin në mënyrë strategjike. Është e kuptueshme që të dinë dhe ta njohin audiencën e tyre. Sigurisht që kërkon guxim që ta shfaqësh në publik. Nga çfarë kam parë te njerëzit e famshëm kur postojnë të tilla gjëra rritet dhe numri i pëlqimeve. Është një formë për t’u lidhur me të tjerët.

Nga ana tjetër, cila ishte arsyeja që Enxhi vendosi për ta bërë këtë postim, për t’u ndierë mirë vetë apo për të bërë të tjerët të ndihen mirë?

Pak nga të dyja. Duke qenë personazh publik e shoh si formë çlirimi. E di që ka njerëz që më ndjekin dhe më mbështesin. Është mirë të ndihesh që jam e mbështetur. Jam njeri para se të jem një artiste. Ajo është fotoja më e komentuar nga gjithë profili im në Instagram. Në realitetin tonë është e rrallë kjo gjë. Sa më shumë njerëz ta shohin aq më mirë për mua për mesazhin që doja të jepja. Se prandaj e shpërndava, përndryshe do ta kisha mbajtur për vete.

Lidhur me mediat sociale dhe shpërndarjen e këtij informacioni tek audienca, psikologia shprehet se:

Në mediat sociale ajo çfarë paraqitet është e pavërtetë. Përpiqemi t’i mbushim mendjen edhe vetes edhe të tjerëve që na shohin. E kemi një qëllim kur e bëjmë këtë gjë. Kjo është për të gjithë, jo vetëm për ata që janë të famshëm. Ka përdorime jo fort të logjikshme të mediave sociale. Nëse do që dikush të të kuptojë, një mënyrë është të analizuarit të kontentit të faqes tënde. Të rinjtë janë më pak kokëçarës për atë që postojnë, është me vlerë që të kuptohet që këto mediume mund të na japin një informacion më real.

Në fund Enxhi ka dhënë dhe një mesazh:

Nuk ka të bëjë vetëm me njerëz të njohur por me të gjithë. Ka dy arsye kryesore. E para kemi njerëz të thjeshtë që e kanë për turp të qajnë dhe mua më duket shumë e çuditshme. Shoh një ego të madhe dhe e kanë të vështirë që të shfaqen si janë. Dhe e dyta, personazhet publikë janë personat e parë që përballen me problem të tilla.