Bota

Rusia sanksionon familjen presidenciale amerikane!

Në listën e sanksioneve, Rusia shtoi Zonjën e Parë Jill Biden, bashkëshorten e presidentit amerikan Joe Biden dhe vajzën e tyre Ashley. Kjo në shenjë hakmarrjeje ndaj vendimeve të Uashingtonit kundër Moskës, për shkak të luftës ruse në Ukrainë. Përmes një deklarate të publikuar sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë shprehet:

23 akademikë të tjerë dhe zyrtarë amerikanë janë shtuar në listë, duke përfshirë liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe senatorët, Charles Grassley, Kirsten Gillebrand, Susan Collins, Ben Sass e Martin Heinrich.

Si kundërpërgjigje ndaj zgjerimit të sanksioneve amerikane kundër politikanëve e figurave publike ruse, 25 shtetas amerikanë janë të përfshirë në listën e ndalimit. Aty janë edhe senatorët përgjegjës për krijimin e narrativës rusofobe, si dhe pjesëtarë të familjes së presidentit Joe Biden.

Personave të sanksionuar u ndalohet hyrja në territorin rus.

Siç dihet tashmë, Shtetet e Bashkuara janë në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, të nisur më 24 shkurt.

Amerika dhe Bashkimi Europian kanë vënë sanksione kundër disa individëve, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin e vajzat e tij apo ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov e familjen, si dhe ndaj disa oligarkëve të lidhur me shefin e Kremlinit. Perëndimi ka zbatuar sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke i izoluar rrjetin financiar, më pas i ngriu asetet dhe ka vënë embargo të pjesshme në importet ruse të naftës.

Lufta ruse në Ukrainë vijon prej 125 ditësh. Sipas denoncimeve ukrainase, në Kremençuk, raketat ruse goditën një qendër tregtare ku referuar presidentit Volodymyr Zelensky gjendeshin mbi një mijë qytetarë. Bilanci paraprak flet për 18 vetë që humbën jetën dhe 57 të plagosur.

Sot pritet mbledhja e Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar lidhur me sulmet e fundit të trupave të Moskës. Takimin e kërkoi Kievi zyrtar, për të folur rreth bombardimeve të vazhdueshme të rusëve në Ukrainë.

Ndërkohë, numri dy i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev doli me një paralajmërim të fortë: Nëse NATO tenton të pushtojë Krimenë, nis Lufta e Tretë Botërore! Sipas ish-shefit të Kremlinit, çdo përpjekje e tillë, sikur dhe nga një vend i vetëm i Aleancës Veri-Atlantike, nënkupton t’i shpallet luftë Rusisë e pasojat do të ishin shkatërrimtare.