Bota

Rusia sulmon Ukrainën me 14 bombardues/Polonia: Raketë ruse në hapësirën tonë ajrore!

Dita e 760-të e luftës ruse në Ukrainë që sa vjen e bëhet më intensive teksa vazhdon prej më shumë se dy vitesh tashmë. Gjatë orëve të natës e në ato të para të mëngjesit të sotëm, Rusia sulmoi me 14 bombardues. Po ashtu, pati “shi” raketash ukrainase në Krime. Polonia shprehu shqetësimin për një raketë ruse që hyri në hapësirën ajrore polake. Fluturimi 39 sekondësh pranë qytetit Oserdow u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë.

Orët e fundit, Ukraina thotë se forcat ushtarake rrëzuan 10 raketa ruse në Kiev e në afërsi të kryeqytetit. Trupat ruse ndërmorën sulmin e tretë masiv me raketa kundër Ukrainës, në katër ditët e fundit dhe njëherazi, i dyti për Kievin, siç njoftojnë forcat e armatosura në Telegram.

Specifikohet se gjatë natës, Rusia sulmoi Ukrainën me 14 bombardues strategjikë Tu-95MS që u ngritën nga baza Olenya në gadishullin Kola: Forcat Ajrore e konfirmuan numrin e tyre, siç raporton Ukrainska Pravda. Alarmi ajror zgjati më shumë se dy orë dhe disa grupe raketash u lëshuan në drejtim të rajonit Lviv, në Ukrainën perëndimore.

Në Krime, goditet Qendra e Komunikimit e Flotës ruse

Qendra kryesore e komunikimit e flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopolin e pushtuar, në Krime, u godit në mbrëmjen e vonë nga të paktën tre raketa lundrimi ukrainase. Kjo u raportua nga Ukrainska Pravda, që citon kanalin Telegram Krime Wind dhe një burim të Inteligjencës.

Duket se të paktën tre raketa lundrimi ukrainase Storm Shadow sapo janë përplasur në qendrën kryesore të komunikimit të flotës ruse të Detit të Zi, shkroi burimi për komunikimet speciale të Flotës së Detit të Zi të Federatës Ruse në rrugën Mykola Muziki 1 duke iu referuar një adrese në Sevastopol.

Moska zyrtare: U zmbraps sulmi ukrainas me 10 raketa në Krime

Rusia tha se zmbrapsi një sulm me raketa të Ukrainës në qytetin e Sevastopolit në Krime, një gadishull i aneksuar në vitin 2014 nga Moska. Por, mbetjet e tyre plagosën një fëmijë. Këtë e bëri të ditur guvernatori Mikhail Razvozhayev në Telegram.

Ushtria jonë zmbrapsi një sulm masiv në Sevastopol. Sipas informacionit fillestar, më shumë se dhjetë raketa u rrëzuan, tha Razvozhayev.