Live From Tirana Politikë

Sa e vështirë është në Shqipëri të jesh një femër në politikë? Për këtë flet Orjola Pampuri!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio Orjola Pampuri, psikologe, pedagoge, tashmë pjesë e PD-së që nga viti 2017. Këtë vit ajo kandidon për deputete e 15-ta në listën e të djathtëve. Si ka qenë kjo eksperiencë për Orjolën?

Gjithnjë kam punuar njësoj si në 2017 ashtu edhe tani. Politika të do të fort, të do të jesh mbi të gjitha një grua e fortë, por edhe një karakter të fortë. Të përballesh me përplasje politike, me halle e probleme të qytetarëve. Në psikologji ne e kemi të ndaluar të jemi shumë empatikë por e kam të pamundur të mos jem dhe shpeshherë përlotem sepse ka njerëz që vuajnë për bukën e gojës. Është e trishtë që ka njerëz që kërkojnë bukë për të ushqyer fëmijët. 

Si lindi për Orjolën dëshira për politikë?

Jam rritur në një familje me bindje të djathtë. Dëshira ime për tu marrë me politikë erdhi në vitin 2017 ku shpesh uleshim me kolegët dhe thonim: ‘Kjo nuk shkon’ dhe i thoja nëse flasim me njëra tjetrën këtu në kafe dhe nuk e zhvendosim, do të mbetemi këtu. Politika ka nevojë edhe për zërin tonë, edhe për zërin e profesoreshave të Fakultetit. Bashkëshorti është personi që më ka mbështetur më fort nga të gjithë.

Sa e vështirë është të jesh një femër në politikë sipas Orjolës?

Në të gjithë botën është e vështirë por në Shqipëri akoma më shumë. Unë jam për përfshirje cilësorë, të grave që kanë një karrierë të konsoliduar, një profesion të cilën e kanë zhvilluar ndër vite. Në 2017 kur u përfshiva në politikë ajo pyetje që më bënte të ndihesha jo mirë ishte: ‘Po si hyre ti? Si u përfshive ti në politikë?’. Unë mendoj se politikës i bën nder çdo grua e arrirë, çdo grua profesioniste, që e ka rritur karrierën me mund, çdo grua me integritet. Është model për brezat. Politikës i duhen modele të mira. Të drejtat e grave janë prioritet për mua.