Aktualitet Politikë

Sali Berisha kërkoi të merrte pjesë në Kuvend, Apeli Posaçëm shtyn seancën!

Për mungesë të pjesëmarrjes së Prokurorëve, në Gjykatën e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u shty seanca ku pritej të shqyrtohej kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend. Pasi refuzoi t’i përmbahej “Detyrimit për paraqitje”, prej fundit të vitit të kaluar, Berisha është në “Arrest shtëpie” lidhur me çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj u shpreh se e arsyeja ishte mungesa e pjesëmarrjes së prokurorëve “për arsye profesionale”. Duke folur për gazetarët, Gjokutaj tha se “ky është një sebep” e shtoi se “kontakti është shkëputur dhe caktuan një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK-u në kontakt me zotin Rama”.

Prokurorët kishin dorëzuar një shkresë në të cilën thuhej se për arsye profesionale, ata nuk mund të ishin prezent. Sigurisht ky është një sebep, një justifikim, ata janë dy prokurorë, të paktën njëri prej tyre duhet të ishte prezent.

Nuk e kuptoj termin arsye profesionale, sepse profesioni i prokurorit është në hetim dhe gjykim.

Nuk i di arsyet e tjera, por sigurisht me angazhimin e zotit Rama në punët e tjera, kontakti është shkëputur dhe caktuan një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK-u në kontakt me zotin Rama.

Në ditën e parafundit të vitit 2023, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të zëvendësojë masën e sigurimit nga “detyrim paraqitjeje” në “arrest shtëpie” nën mbikëqyrje policore ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit kompleksit sportiv “Partizani”.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, për të cilën avokatët e Berishës kishin kërkuar përjashtimin nga trupa gjykuese, duke pretenduar një konflikt interesi. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi një autorizim Kuvendit për të forcuar masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, për shkak se për disa javë rresht, ai refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur “antikushtetuese”.

Gjykata e Posaçme urdhëroi deputetin Berisha të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të, në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore.