Aktualitet

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, 6 dhjetori ditë pushimi zyrtar!

Qeveria shqiptare vendosi sot që 6 dhjetori, dita kur në Tiranë të zhvillohet samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, të jetë pushim zyrtar. Pra, administrata, të tjera institucione, shkollat, kopshtet, çerdhet do të qëndrojnë mbyllur të martën e javës së ardhshme. Vendimi lidhet me arsye sigurie, pasi më 6 dhjetor në kryeqytetin tonë do të jenë liderët e Bashkimit Europian.

Më 25 nëntor, Policia e Shtetit nuk i dha leje Partisë Demokratike për protestën e datës 6 dhjetor. Në një letër dërguar selisë blu, kreu i Policisë Tiranë, Lorenc Panganika theksonte se “tubimi brenda perimetrit të sigurisë pengon zhvillimin normal të samitit dhe gjithashtu përbën rrezik real për sigurinë kombëtare e atë publike”, ndaj nuk lejohet.

Të ndalohet zhvillimi i tubimit të kërkuar në datën 6 dhjetor 2022, ora 12:00 deri në orën 16:00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Policia e Tiranës mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim të PD-së për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë.

Po në letrën drejtuar Partisë Demokratike, Drejtori i Policisë së Tiranës, Panganika sqaronte edhe perimetrin e sigurisë, që sipas tij është vendosur në konsultim me strukturat e sigurisë së delegacioneve pjesëmarrëse në këtë samit.

Perimetri është si më poshtë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshi sheshin “Nënë Tereza”; Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj; Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagami”; Rruga “Papa Gjon Pali II” në të gjithë gjatësinë e saj, rruga “Asim Zeneli”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga “Fatmir Haxhiu”; Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rugova”.