Bota

Samiti i Azisë Lindore, Blinken i distancuar nga kryediplomatët e Rusisë e Kinës, Lavrov dhe Wang!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot iu bashkua ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Kinës, në një takim me diplomatë të lartë nga Azia Juglindore, në një kohë kur fuqitë globale janë të përçara nga tensionet. Samiti i Azisë Lindore, i takimeve të vazhdueshme të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në kryeqytetin e Kamboxhias është forumi ku për herë të parë marrin pjesë tre liderët.

Shoqatën e Kombeve të Azisë Lindore e përbëjnë: Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Brunei, Birmania, Kamboxhia, Laosi dhe Vietnami. Samiti i Azisë Lindore përfshin liderët e këtyre dhjetë vendeve, si dhe të Australisë, Indisë, Kinës, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Rusisë, Japonisë e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burg basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për trafik droge, në një çështje të ngarkuar politikisht mes antagonizmave mbi pushtimin rus të Ukrainës. Ndërkohë, Kina ka shfaqur zemërim për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi, këtë javë në Tajvan. Ishullin autonom, Pekini e pretendon të vetin e si kundërpërgjigje nisi stërvitjet ushtarake për demonstrimin e forcës.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi përshëndeti homologun rus, Sergey Lavrov në sallën e takimit. Blinken, i cili hyri i fundit, nuk u përshëndet me Lavrovin, teksa zuri vendin e tij disa karrige më larg. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Blinken nuk kishte në plan të takohej kokë më kokë me asnjërin prej tyre. Dje, Kina anuloi një takim të ministrave të Jashtëm me Japoninë, për të protestuar ndaj një deklarate të G7-ës që thonte se nuk kishte asnjë justifikim për stërvitjet ushtarake të Pekinit e që praktikisht rrethojnë Tajvanin.

Me anëtarët e tjerë të G7-ës dhe BE-së, Japonia bëri një deklaratë të papërgjegjshme, duke akuzuar Kinën e ngatërruar të drejtën me të gabuarën.

Kur ministri i Jashtëm i Japonisë, Hayashi Yoshimasa filloi të fliste në Samitin e Azisë Lindore, Lavrov e Wang u larguan. Kryesuesi i samitit, kryediplomati kamboxhian, Prak Sokhonn, hapi bisedimet. Ai tha se shpreson që të gjithë delegatët ta përdornin forumin si “mjet angazhimi e komunikimi mes tyre”.