Celebrities Gossip Showbiz

Sensacion i mediave sociale, gjithçka rreth Hasbulla Magomedov për ata që ende nuk e njohin!

Së fundmi u bë e ditur arrestimi i ambasadorit të UFC dhe sensacionit të mediave sociale Hasbulla Magomedov për shkak të shkeljeve të shumta gjatë drejtimit të automjetit. 20-vjeçari dhe miqtë e tij kishin bllokuar një rrugë kryesore për të bërë donuts pasi ishin të ftuar në një dasmë. Hasbulla në rrjetet sociale kërkoi falje për ngjarjen dhe premtoi se nuk do ta bënte më kurrë teksa konfirmoi se nuk ishte ai që drejtonte makinën.

Por, kush është Hasbulla Magomedov? Që nga viti 2020, Hasbulla është bërë shumë i famshëm në internet dhe njihet nga njerëz në të gjithë botën. 20-vjeçari i gjatë vetëm 99 centimetra nisi të bëhej viral me videot e tij që i bënte në vendlindje, Dagestan. Ndihmë të madhe i dha edhe kampioni i UFC, Khabib Nurmagomedov, që pranonte të ishte pjesë e videove të Hasbulla-s. Sot, Hasbulla ka mbi 8,5 milionë ndjekës në Instagram.

Vitin e kaluar, Hasbulla nënshkroi edhe një kontratë 5-vjeçare me UFC për të qenë ambasador i arteve marciale mikse. Hasbulla vuan nga një çrregullim gjenetik që quhet akondroplazi. Pamja e tij prej fëmije vjen nga fakti që ka një numër të pamjaftueshëm hormonesh të rritjes në organizëm. Ky çrregullim nuk është i trashëgueshëm, por mund të jetë prezent që në lindje ose të shfaqet më vonë gjatë fëmijërisë.

Gjithsesi, pavarësisht këtij handikapi fizik, rusi ka shfrytëzuar faktin që nuk është as 1 metër i gjatë për të bërë video virale. Ai shfaqet në makina sportive, ose duke u ndeshur me burra shumë më të mëdhenj në trup se ai. Sa i përket pasurisë së Hasbulla-s, nuk dihet me saktësi se sa është ajo, por mendohet se mund të jetë e konsiderueshme, duke parë se shihet shpesh me makina luksoze, duke udhëtuar me avionë privatë apo me jahte të shtrenjta. Disa muaj më parë 20-vjeçari i famshëm, inatosi keq yllin e UFC-së, Conor McGregor, pasi i vendosi pulës së tij emrin e këtij të fundit.