Rajoni

Serbia pezullon eksportet e grurit, miellit, misrit e vajit!

Efektet e luftës në Ukrainë, nga nesër, Serbia do të pezullojë eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit. Lajmin e bëri të ditur sot presidenti Aleksandër Vuçiç, duke folur për televizionin serb B92.

Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë!

Vuçiç përmendi masat për subvencionimin e fermerëve:

Ne do të subvencionojmë që çmimi i naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë (rreth 1.5 euro), për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale!

Presidenti serb kujtoi se “Beogradi është në pritje të vendimit të Bashkimit Europian për importin e energjisë nga Rusia”.

Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne do të jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli.

Kujtojmë se Amerika i ndaloi importet e naftës, gazit e qymyrit rus.

Po ndalojmë të gjitha importet e naftës, gazit e të energjisë nga Rusia. Kjo do të thotë se po i japim një tjetër goditje të fuqishme Putinit.

Urdhëri i shefit të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden ndalon gjithashtu investimet e reja amerikane direkte apo indirekte në sektorin energjetik të Moskës.

Sa i përket gjendjes së rezervave të mallrave të Serbisë, një javë më parë, Vuçiç konfirmoi se vendi është i përgatitur për të paktën dy muajt e ardhshëm. Vitin e kaluar, Kosova importoi 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë të importuar në total nga shtete të ndryshme, si Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut e Hungaria. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës.