Aktualitet

Sërish shifra të larta nga COVID-19 në vend, 15 humbje jete në 24 orë

15 humbje jete nga koronavirusi në 24 orët e fundit në vend. Mes viktimave është edhe 18 vjeçar pas sëmundje bashkëshoqëruese si edhe një 32 vjeçare që sapo ishte bërë nënë. Shifrat konfirmohen nga Ministria e Shëndetësisë. Në bilancin e sotëm pohohen 1 mijë e 39 raste të reja ditore nga mbi 3 mijë testime të kryera.

Aktualisht në 4 spitalet COVID në Tiranë dhe në dy spitale rajonale po trajtohen 656 pacientë, 48 në terapi intensive nga të cilët 16 të intubuar. Lajm i mirë është shërimi i 989 qytetarëve, duke e çuar numrin total në 64 mijë e 318 që nga fillimi i epidemisë.

Ndërkaq, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore i cilësoi sinjal alarmi shifrat e larta të koronavirusit në vend. Skënder Brataj pohoi se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gatshëm për çdo skenar.

Megjithatë eksperti u shpreh kundër një mbylljeje totale në të gjithë vendin pasi thekson se do të ishte e rëndë për ekonominë por dhe për shëndetin mendor të qytetarëve shqiptarë. Brataj thekson se personalisht do të ishte për shtrëngim masash, kufizim të disa aktiviteteve por edhe ulje e orareve si në të gjithë Europën deri në orën 18:00.