Bota

Sërish telashe ligjore për ish-kryeministrin pakistanez, Imran Khan/Publikoi dokumente sekrete!

Një gjykatë në Pakistan sot ngriti aktakuzë ndaj ish-kryeministrit të këtij vendi, Imran Khan, i dyshuar se ka publikuar dokumentet e klasifikuara. Njoftimin për mediat e dha partia e tij. Kjo është një tjetër goditje për ish-shefin e qeverisë të burgosur para zgjedhjeve të përgjithshme e që pritet të mbahen në janar të vitit të ardhshëm.

Khan akuzohet se ka bërë publik një dokument sekret të dërguar në Islamabad nga ambasadori pakistanez në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, ai e mohon këtë akuzë dhe vë në dukje se përmbajtja e atij dokumenti u publikua në media nga burime të tjera, jo prej tij.

Imran Khan shtoi se dokumenti në fjalë ishte “dëshmi e një konspiracioni amerikan” për ta shtyrë ushtrinë pakistaneze ta rrëzonte nga pushteti përmes një vote mosbesimi në parlament vitin e kaluar, për shkak se pati vizituar kryeqytetin rus Moskë e kjo ndodhi pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën, pushtim që nisi në shkurt 2022.

Si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe ushtria pakistaneze i mohojnë këto pretendime, duke i hedhur poshtë si “të pavërteta”.

Kujtojmë se Khan u rrëzua nga pushteti pasi e humbi votën e mosbesimit në vitin 2022 dhe më pas drejtoi protestat kundër qeverisë, për të çuar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Manifestime pati edhe kundër ushtrisë.

Ndërkaq, ai përballet me disa çështje ligjore, të cilat i cilëson si përpjekje për ta zhdukur nga politika. Fillimisht ka qenë dënuar me tre vjet burg për mosdeklarim të parave që i kishte fituar përmes shitjes së dhuratave shtetërore. Por, ai dënim iu anulua.

Megjithatë, Khan mbetet në burg për shkak të rasteve të tjera, përfshirë nxitjen e dhunës dhe publikimin e dokumenteve sekrete. Avokatët e tij thonë se mund të dënohet nga 14 vjet heqje lirie e deri me vdekje, në rast se shpallet fajtor.