Bota

SHBA, në Teksas pezullohet zbatimi i ligjit për emigrantët!

Pezullohen sërish planet e Teksasit që të arrestojë emigrantët që dyshohet se hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi u krijua paqartësi përgjatë kufirit dhe zemërim në Meksikë kur ky ligj hyri në fuqi për disa orë. Urdhri i lëshuar mbrëmjen e djeshme nga një panel i Gjykatës së Apelit në Qarkun e Pestë të Shteteve të Bashkuara sërish pezulloi ligjin. Më herët gjatë ditës, Gjykata e Lartë lejoi zbatimin e ligjit të ashpër të emigracionit, duke inkurajuar shtetet e tjera që të ndërmarrin masa të ngjashme.

Por, më vonë, Apeli përsëri vendosi një pauzë para se të paraqiten argumentet gjatë një seance të caktuar për sot. Ende është e paqartë se kur mund të merret vendimi i ri për zbatimin e këtij ligji. Gjatë periudhës së shkurtër sa ligji ishte në fuqi dje, autoritetet në Teksas nuk njoftuan për ndonjë arrestim dhe nuk treguan nëse ligji po zbatohej në mënyrë aktive. Megjithatë, kjo u pa si një fitore e republikanëve që kanë shtyrë përpara këtë ligj.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë u hodhën poshtë disa vendime të gjykatave më të ulëta të Apelit e që ishin sfiduar nga Departamenti i Drejtësisë, i cili ka argumentuar se Teksasi po tejkalon kompetencat e qeverisë federale sa i përket emigracionit. Në vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, nuk u tregua arsyeja e panelit për pezullimin e ligjit.

Sipas ligjit në Teksas, kur të pandehurit dërgohen në mbajtje për shkak të hyrjes së paligjshme në shtet, ata mund të bien dakord që të largohen nga shteti ose të përballen me ndjekje penale në SHBA. Dje, Sekretaria për Punë të Jashtme e Meksikës tha se do të refuzojë që të pranojë këdo që urdhërohet të kalojë kufirin.

Meksika ka të drejtë legjitime që të mbrojë të drejtat e shtetasve të saj në SHBA dhe të vendosë vetë politikat e saj sa i përket hyrjes në territorin përkatës, deklaroi qeveria meksikane.

Ndikimi i ligjit shkon përtej kufirit në Meksikë. Ligjvënësit republikanë e hartuan ligjin, në mënyrë që të aplikohej në 254 qarqet e Teksasit edhe pse drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Teksas, Steve McCraw, tha se ai pret që ligji të zbatohet kryesisht afër kufirit.

Edhe shtetet e tjera që udhëhiqen nga republikanët po synojnë të ndjekin shembullin e Teksasit. Në Ajoua, Dhoma miratoi një projektligj që do t’i mundësojë organeve ligjzbatuese të këtij shteti të arrestojnë njerëzit që janë ilegalisht në SHBA, të cilëve paraprakisht u është mohuar hyrja në shtet.

Nëse ky projektligj nënshkruhet nga guvernatorja republikane, Kim Reynolds, ai do të hynte në fuqi në korrik. Arrestimet për kalim të paligjshëm të kufirit ranë përgjysmë në janar nga numri rekord i shënuar dhjetorin e vitit të kaluar, përkatësisht 250 mijë, teksa në Teksas u shënua rënie e madhe e arrestimeve.