Sport

Sherr masiv në derbin Partizani-Tirana në basketbollin për femra!

Sfida e basketbollit për femra mes Partizanit e Tiranës përfundoi me përplasjen fizike mes lojtareve. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, vajzat e kampit të kuq mundën në gjysëmfinale 86-83 Tiranën, duke i eliminuar rivalet, por nuk mbaroi me kaq.

Fundi i ndeshjes prodhoi skena aspak të denja në parket, me të dy kampet që u përfshinë në një sherr masiv. Nuk munguan grushtat mes Ebi Dishnicës së Tiranës dhe amerikanes së Partizanit, Antoinette Alyssa Bannister. Më tej, çdo gjë sheshohet edhe me ndërhyrjen e përfaqësuesve të të dy klubeve.  Partizani reagoi e paralajmëroi se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore. Po ashtu hodhi akuza se lojtaret e këtij klubi u përballën me ofendime raciale.

Duke marrë shkas nga publikimet e mediave të ndryshme online, kemi të drejtën të publikojmë pamje filmike ku dallohet qartë përfshirja e sportisteve të ekipit kundërshtar si dhe goditjet e tifozëve nga jashtë nxitur nga stafi i ekipit kundërshtar. Goditje nga djem kundrejt lojtareve amerikane dhe lojtaret e Tiranës, të cilat përgjatë gjithë takimit kanë kryer akte të dhunshme dhe ofendime sidomos në baza raciale kundrejt lojtareve tona. Një shfaqje e turpshme pas dy ndeshjeve të fituara nga ekipi me më shumë dëshirë, me përgatitje më të mirë taktike dhe dukshëm superior në parket.

Përgënjeshtrojmë akuzat e bëra nga klubi kundërshtar apo media të ndryshme ku etiketohen basketbollistet tona si dhunuese dhe lojtaret e ekipit kundërshtar si viktima. Çështja do të ndiqet në çdo rrugë ligjore kundrejt personave dhunues dhe shkaktare të kësaj ngjarje të turpshme që nuk i kanë hije kryeqytetit të sportit.

Shpresojmë që @albanian_basketball_federation si organizatore e kampionatit të vendosë drejtesinë në vend dhe mos të lejojë që faktorë të jashtëm apo klubi kundershtar me dashakeqesi të dëmtojë investimin tonë dhe të vendosë në rrezik lojtaret e huaja, te cilat kanë ardhur për të ushtruar sportin e basketbollit dhe jo dhunë.