Botë e Çuditshme Food & Drink

“Shfaqin nerva si adoleshentët”, kundërshtohet nisma për hapjen e fermës së oktapodëve!

Nisma për të ngritur fermën e parë në botë për oktapodë është kundërshtuar nga shkencëtarët dhe ambientalistët. Të konsideruar si qenie inteligjente dhe të ndjeshme, studiuesit besojnë se oktapodët ndjejnë dhimbje dhe emocione dhe nuk duhet të rriten kurrë në mënyrë artificiale për t’u shfrytëzuar si ushqim.

Stacey Tonkin, nga Akuariumi i Bristolit, në Angli, thotë se sjellja e oktapodëve ngjason me atë të njerëzve. Të dy speciet kanë një paraardhës të përbashkët, që daton 560 milionë vite më parë. Jetëgjatësia e tyre shkon deri në 4 vite, pra në moshën 1-vjeçare, oktapodi, sipas saj, është adoleshent.

Ai shfaq ato shenja që priten nga një adoleshent, një ditë është me nerva dhe fle gjatë, ditën tjetër kërkon të mburret dhe të luajë.

Stacey është një prej studiuesve në akuarium që janë kundër nismës për rritjen e oktapodëve në ferma ujore, për t’u konsumuar masivisht, edhe pse janë të vetëdijshëm që të kapur në natyrë, ata janë një prej gjallesave të detit më të preferuar nga njerëzit.

Studimi i realizuar nga më shumë se 300 shkencëtarë thotë se rritja e tyre në ferma është thuajse e pamundur dhe qeveritë duhet të marrin në konsideratë ta ndalojnë këtë. Në fakt, është e vështirë që oktapodi të rritet në një ambient të kontrolluar. Ai ushqehet vetëm me krijesa të gjalla dhe kushtet ujore duhet të jenë tepër specifike. Por oktapodi vijon të mbetet një pjatë e preferuar nga Azia deri në Mesdhe e po përdoret gjithnjë e më shumë edhe në SHBA.

Në Korenë e Veriut ndonjëherë oktapodi konsumohet edhe i gjallë. Çdo vit vlerësohet se në botë kapen 350 mijë tonë oktapodë, më shumë se 10 herë nga viti 1950. Për këtë, kompania spanjolle ‘Nueva Pescanova’ ka deklaruar se do të nisë kultivimin e tyre që nga vera e ardhshme, për të nisur shitjen në vitin 2023, duke prodhuar gati 3000 tonë oktapodë në vit, diçka që sipas saj, do të ndihmojë në uljen e numrit të oktapodëve të egër që kapen në det.