Aktualitet

Shkelje ligjore në Komisionin Hetimor për inceneratorët në Kuvend?!

Komisioni Hetimor parlamentar për incineratorët e nisi punën me shkelje ligjore pasi kërkoi informacion nga institucione, që me ligj janë të detyruara të mos e japin. Pretendimi është ngritur nga një prej njerëzve që do të hetohet në këtë komision, Mirel Mërtiri, i cili akuzohet nga opozita se është biznesmeni hije që ka përfituar nga koncensionet për incerenatorët. Përmes një letre, Mërtiri i kërkon bankave të niveli të dytë, të mos japin asnjë informacion se sipas tij janë të detyruara të respektojnë ligjet e shtetit që nuk lejojnë që komisionet hetimore të marrin informacione private, por vetëm shtetërore, të bëra publike.

Në letrën drejtuar bankave, Mërtiri shkruan se kërkesa e anëtarëve të opozitës, nuk përbën objekt të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, shkel ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore, vendime të Gjykatës Kushtetuese si dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas tij, bankat nuk janë institucione, por entitete private dhe informacionet e dokumentet bankare nuk janë zyrtare, por të lëshuara nga një entitet privat. Banka ka detyrim të rreptë konfidencialiteti, në kuadër të marrëdhënies bankë-klient.

Komisioni Hetimor nuk hyn në asnjë rast në radhën e këtyre autoriteteve juridike që e fitojnë këtë të drejtë me ligj. Rrjedhimisht, shprehim keqardhjen tonë që jemi të detyruar që t’ju kujtojmë se shkelja e detyrimit të konfidencialitetit sipas paragrafëve 2 dhe 3 të Nenit 91 të Ligjit 9662, përbën kundërvajtje penale, e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit. Sa më sipër, i kërkoj Bankës Suaj dhe çdo përfaqësuesi, menaxheri, punonjësi, etj të saj, të mos përcjellë, shpërndajë, vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor informacione të tilla apo të kryejë veprime të tjera të ngjashme, të cilat shkelin haptazi detyrimet ligjore të Bankës, si më sipër shpjeguar.

Në komisionin hetimor të kërkuar nga opozita, deri tani janë miratuar ekspertët për të zbritur në terren, për të parë nga afër punën e bërë, si dhe u dërguan 12 kërkesa për informacion për disa institucione, nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bashkitë ku veprojnë incineratorët, etj. Kërkesa u janë drejtuar edhe bankave të nivelit të dytë, si dhe vetë kompanive përfituese të inceneratorëve, përqendruar te tre persona: Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.  Deputetët e opozitës kanë hedhur akuza për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.