Aktualitet

Shqipëria eksportuese e energjisë në rajon, firmoset Memorandumi i Mirëkuptimit!

Shqipëria, vend eksportues i energjisë në rajon, kryeministri Edi Rama dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes bullgares Overgas e Albgaz-it. Kompania Overgas ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes Terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane.

Kryeministri Rama vlerësoi se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030 eksportuese neto e energjisë. Furnizimi me gaz përmes Terminalit të Ri, që do të ngrihet në Vlorë, tanimë po zgjon interesa të shumanshme.

Në ceremoninë e rastit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi:

Eshtë një moment i shënuar për një nga projektet tona më të rëndësishme e strategjike, që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë, duke iu referuar projektit të Termocentralit të Vlorës, të pjesës gazifikuese të portit lundrues që do të ndërtohet në Vlorë dhe padyshim të një hapi të madh që ne po hedhim duke e kthyer këtë projekt nga një projekt lokal në një projekt rajonal.

Ky fakt është dukur qartazi në javët e fundit, kur ne kemi publikuar të gjithë përpjekjen tonë në bashkëpunim me partnerët amerikanë, duke përmendur këtu kompanitë e mëdha, por nga ana tjetër kemi pasur një shprehje dëshire për bashkëpunim nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, për t’u bërë pjesë e këtij projekti, duke e kthyer në projekt të rëndësishëm rajonal.

Projektit tonë i afrohen edhe partnerë të tjerë, mjaft të njohur e me kontribute shumë të mëdha në fushën e naftës e gazit në SHBA, si “Linden Group”.

Të gjitha ndryshimet gjeopolitike e kanë vënë Shqipërinë në një pozicion më të fortë, për shkak të gjeografisë që ka vendi, por mbi të gjitha për shkak të aderimit që ne bëjmë si anëtar i NATO-s. Por, edhe të gjithë marrëdhënies e partneritetit strategjik që ne kemi prej vitesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.